kursi i këmbimit, një në gjashtë familje preken nga zhvlerësimi i lekut

bankruptcy
Ajo çka po vuajnë klientët e bankave sot lidhet me mungesën e mjaftueshme të informacionit për kreditë që kanë marrë në valutë, kryesisht në euro. Alarmet e Bankës së Shqipërisë, edhe pse me vonesë, kanë ndikuar në uljen e kreditimit në valutë, por situata vazhdon të mbetet shqetësuese. Rreth 71 për qind e kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë është në valutë të huaj, kurse pjesa tjetër në monedhën vendase lek. Si rrjedhojë, afërsisht 295 miliardë lekë kredi të dhëna, deri në muajin shkurt 2009, janë kryesisht në euro, çmimi i të cilës ka pësuar rritje deri me 7 për qind. Klientët e bankave që kanë marrë kredi në euro janë duke u përballur me zhvlerësimin e lekut, si pasojë, kësti i huasë është bërë më i shtrenjtë. Aktualisht euro shitet me 132 lekë, nga 126 lekë që ishte gati para një viti dhe 123 lekë dy-tre vjet më parë, në çastin kur klientët lidhën kontratën me bankat për ta marrë kredinë në valutën evropiane. Zhvlerësimi i lekut si pasojë e krizës tek eksportet dhe dërgesat e emigrantëve ka sjellë shtrenjtimin e kësteve të kredisë deri në 30 euro. Nga të dhënat që ofron zyrtarisht Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kupton se gati 130 mijë kreditë janë duke u përballur me vështirë të mëdha nga shkaku i rritjes së kësteve. Vetë bankat deklarojnë se kanë rishikuar kontratat, pasi normat e euriborit janë ulur, e si rrjedhojë klientët nuk po preken shumë nga kursi i këmbimit.
Pasojat
Në rang vendi janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Kredive pranë Bankës së Shqipërisë rreth 120 mijë kreditues. Rreth 71 për qind prej tyre i kanë kreditë në valutë, që identifikohet më së shumti me euron, kësisoj, vlerësohet që aktualisht janë të paktën 130 mijë individë, familje, ose biznese që po përballen me pasojat e shtrenjtimit të monedhës evropiane. Numri i të prekurve i korrespondon 1/6 e familjeve, megjithatë nuk jep ndikim në vlerësimin e Indeksit të Çmimeve, pasi nuk është i përfshirë nga INSTAT-it në shportën e produkteve dhe shërbime. Aktualisht, niveli i inflacionit vlerësohet nga INSTAT-i në masën 1.9 për qind, por nëse do të përfshinim kostot e individëve për kreditë, natyrshëm që treguesi do të ishte më i madh, madje real dhe brenda objektivit të dëshiruar nga Banka e Shqipërisë (2-4 për qind).
Financimi
Deri në muajin shkurt 2009, bankat i kanë dhënë ekonomisë rreth 412 miliardë lekë. Rritja e tepricës së kredisë, krahasuar me muajin janar ‘09 shënoi vlerën 9.5 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 2.4 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, kredia e akorduar nga sistemi bankar edhe gjatë këtij muaji shënoi rritje duke ndjekur kështu të njëjtin trend rritës si në vitin 2008. Nga struktura e tepricës së kredisë sipas monedhave vazhdon të mbizotërohet nga kredia në valutë, duke përbërë rreth 71.5 për qind të totalit të tepricës së kredisë me rreth 294.6 miliardë lekë. Këtë muaj pesha specifike e kredive për individët, arriti në nivelin 35.1 për qind.

