Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare analizon pasojat e krizës botërore
Eksporti i këpucëve, një prej produkteve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, u ul me 7% gjatë vitit 2008, gjë që i dedikohet krizës financiare, njoftoi dje Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT, në prezantimin e raportit vjetor. “Eksporti i këpucëve u reduktua në mënyrë të ndjeshme, por për fat të mirë, grupi tjetër i rëndësishëm, ai i tekstileve, u rrit”, u shpreh Selim Belortaja, drejtor ekzekutiv i ACIT.
Shqipëria eksportoi 154 milionë euro këpucë dhe 240 milionë euro veshje gjatë vitit të kaluar. Në total, importi i përgjithshëm i lëndës së parë që përdoret për realizimin e këtyre produkteve, është ulur. “Kontraktimi i volumit të përgjithshëm të tregtisë në veshje dhe këpucë gjatë vitit të kaluar, mund të jetë shenjë e rënies edhe më të madhe që mund të ndodhë këtë vit”, – thotë ACIT në raportin e saj vjetor. Rënia e eksportit të këpucëve i dedikohet dobësimit të shpejtë të ekonomisë italiane dhe asaj greke në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Rreth 60 për qind e eksporteve shqiptare përqendrohet në këtë grup produktesh dhe goditja e këtij sektori nga kriza mund të sjellë pasoja shumë të rënda ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, rreth 26 mijë vetë janë të punësuar te veshjet dhe këpucët, shifër kjo e barabartë me 13% të të punësuarve në sektorin privat në Shqipëri. “Në terma realë, kjo industri eksporton punën fizike të të punësuarve të vet”, shpjegon një ekspert i sektorit. “Në rast se bien eksportet me 7%, në të njëjtën masë ulet edhe numri i të punësuarve aty”, shton ai. Industria e përpunimit aktiv u zhvillua gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri, kur sipërmarrës italianë dhe grekë zbuluan koston e ulët të krahut të punës në vendin tonë dhe afërsinë gjeografike me tregjet e tyre. Pas zhvillimit të industrisë së këpucëve dhe veshjeve, u vu re tendenca e zhvendosjes së kapaciteteve të industrisë italiane të mobilieve drejt vendit tonë. Por pas viteve 2000, zhvillimi i mëtejshëm i këtij sektori, u ndërpre për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike. ACIT vëren se gjatë vitit të kaluar, asemblimi i pajisjeve elektrike është kthyer në një industri me volum tregtie të konsiderueshme, por zhvillimi i mëtejshëm i sektorit, i cili shfrytëzon të vetmin burim që ne e kemi me tepri, pra punën, ka nevojë për investime të konsiderueshme në formim profesional.
Fitimet rriten
Me gjithë rënien në volumin e tregtisë, vlera e shtuar e aktivitetit të kompanive të përpunimit është rritur me 54% gjatë vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e rënies së kostos së lëndës së parë të importuar. “Vlera e shtuar ishte 16.8 miliardë lekë, me rritje 54% kundrejt vitit të kaluar”, njoftoi ACIT. “Çmimi i eksportit të këtyre produkteve ka qëndruar i pandryshuar gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që çmimet e lëndëve të para në tregun ndërkombëtar kanë ardhur në rënie duke shtuar hapësirën mes kostos së importit dhe vlerës së përfituar nga eksporti”, – vijon më tej raporti. Kjo industri është prekur gjatë shtatë viteve të fundit nga forcimi i konsiderueshëm i lekut kundrejt euros dhe dollarit, për shkak se shpenzimet kryesore i ka në lekë ndërsa të ardhurat në valutë. Shqipëria “konkurron” me vendet e tjera të Lindjes dhe me Kinën për thithjen e investimeve të huaja me regjim të përpunimit aktiv. Këpucët e prodhuara në Shqipëri eksportohen në Evropën Perëndimore dhe Amerikë përmes Italisë. Vetëm në pak raste është realizuar eksport këpucësh me stampën “Made in Albania“. Viti 2009 pritet të jetë shumë i vështirë për këtë sektor, për shkak se vlerësohet që importet italiane të veshjeve dhe këpucëve të ulen me 40%, gjë që ka filluar të vështirësojë edhe eksportet shqiptare.

