Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në qershor të këtij viti, leku është zhvlerësuar me rreth 9% në raport me monedhën europiane, në krahasim me qershorin e një viti më parë.

leku
Ekspertët thonë se perspektiva e kursit të këmbimit nuk duket aspak pozitive për lekun. Sipas tyre, tendenca e muajve të fundit e ka favorizuar dukshëm euron ndërkohë që
oferta e euros në treg është pakësuar, për shkak të rënies së remitancave, eksporteve, por edhe uljes së financimeve në euro nga bankat, veçanërisht nga degët e bankave greke, që mbështeteshin me linja kredie të konsiderueshme nga bankat mëmë.
Njëkohësisht, kërkesa për euro nga bizneset e huaja që konvertuan fitimet e tyre dhe nga bizneset importuese shqiptare ka qenë e lartë. Kjo ka sjellë natyrshëm një forcim të euros në vlera që nuk ishin parë prej vitesh. Forcimi i euros po shërben si nxitje që njerëzit t’i kthejnë kursimet në këtë monedhë, veprim që nga ana e vet e rrit më tej kërkesën për euro në tregun e brendshëm.
Ekspertët besojnë se kursi i euros ndaj lekut mund të kalojë së shpejti vlerën e 135 lekëve, duke parë tendencën e muajve të fundit. Në harkun e gjashtë muajve, euro është forcuar ndaj lekut me 8%. Shqipëria është një vend importues, kryesisht nga vendet e eurozonës, ndaj forcimi i vazhdueshëm i euros po bëhet gjithnjë e më shumë rrezik për rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit.
Një kategori më specifike të shqetësuarish nga forcimi i euros janë kredimarrësit në monedhën e përbashkët europiane. Vlerësohet se kredia në euro përbën rreth 70% të totalit të kredisë për ekonominë. Në segmentin e individëve, më të ekspozuarit janë ata që kanë blerë shtëpi me kredi në euro, të shtyrë nga kuotimi i çmimeve në euro dhe nga normat më të ulëta të interesit.
Në një tendencë të ndryshme duket javët e fundit dollari amerikan, që po dobësohet përsëri ndaj lekut. Në fund të javës së kaluar, dollari amerikan ra në vlerën e 94.9 lekëve. Në harkun e 30 ditëve të fundit, dollari është dobësuar me 5.3% ndaj lekut.

