le ultime notizie
Wednesday March 10th 2010

Ligji Antimafia, ja pasurite qe sekuestrohen

Në shënjestër pasuritë e pjesëmarrësve në organizata apo grupe kriminale.

Nëse nuk vërtetohet prejardhja, sekuestrohet

Botohet në Fletoren Zyrtare ligji antimafia, i cili pritet të hyjë në fuqi në mes të muajit janar 2010

I shumë debatuari ligji “antimafia” merr formë ekzekutive duke u botuar në fletoren zyrtare ndërsa mbeten vetëm pak ditë nga fillimi i zbatimit në terren. Organet e hetimit do të udhëhiqen nga dispozitat ligjore të tij duke filluar nga fundi i muaji janar 2010. Propozimi dhe miratimi i një ligji të tillë nga maxhoranca në pushtet hasi në kundërshtimin e përfaqësuesve të biznesit, avokatëve por edhe të individëve për vetë mënyrën se si parashikohet zbatueshmëria e tij.

Sipas dispozitave të parashikuara në ligj, kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht vlerës apo periudhës në të cilën është krijuar, duhet që të vërtetojë prejardhjen e saj. Në të kundërt, organet hetimore gezojnë të drejtën duke u bazuar mbi indicie të kërkojnë sekuestrimin e saj, si një formë për të prerë burimet financiare të krimit të organizuar.

Por fillimi i zbatueshmërisë së tij bazuar vetëm mbi dyshime dhe jo prova konkrete, ka ngjallur kundërshtimin e komunitetit të avokatëve apo dhe të biznesit të cilët gjatë prononcimeve të tyre nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe të përdorimit të tij për goditje të elementeve të caktuar.

Zbatimi
Objekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, janë personat që kanë një standard jetese të pajustifikuar nga të ardhurat e deklaruara. Në këto kushte, dyshohet se mënyra e të jetuarit të personit dhe paratë e shpenzuara prej tij janë krijuar nëpërmjet aktivitetit kriminal. Kështu, ligji parashikon konfiskimin e pasurisë në rastet kur dyshohet për pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale; pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura ; kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste apo kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme. Të gjitha këto janë të parashkruara në disa nene të Kodit Penal.
Në rastet kur dikush dyshohet se kryen veprimtari kriminale, organet hetimore verifikojnë nëse ai është zotërues i një licence, autorizimi apo i një të drejte tjetër që lejon ushtrimin e një veprimtarie ekonomike. Në këtë mënyrë verifikohet nese personi në fjalë përfiton të ardhura apo financime nga kjo veprimtari apo edhe nga shteti, si një rrugë për të parë nëse të ardhurat e tij janë ose jo të ligjshme.

Por, verifikimet nuk përfundojnë vetëm tek personi i dyshuar. Sipas dispozitave ligjore, pjesë e hetimit janë edhe të afërmit, si bashkëshorti apo bashkëshortja, fëmijët, vellezërit, prindërit, etj., duke shkuar edhe deri tek nipërit apo vjehrri dhe vjehrra.
Ajo që është më e rëndësishmja si dhe një ndër pikat më të kundërshtuara ka të bëjë me procedurat e sekuestrimit të pasurisë ku përfshihet edhe e ashtuquajtura barra e provës. Në këto raste, sipas pikës 3 të nenit 21, është personi i dyshuar ai që duhet të vërtetojë se në ç’mënyrë e ka vënë atë pasuri dhe jo organet hetimore.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Propeller
  • TwitThis
  • Yahoo! Buzz
  • LinkArena
  • Segnalo
  • technotizie

Leave a Reply