le ultime notizie
Wednesday March 10th 2010

Raporti i KLSH, shkeljet e Armo dhe Albpetrol

Zbardhet raporti që është depozituar në ministri për abuzimet e vërejtura në kompaninë e naftës dhe marrëdhëniet e saj me shtetin
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje me shuma marramendëse në kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol, ku për shkak të një keqmenaxhimi, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm disa miliardë lekë.
Me të përfunduar kontrollin në këtë kompani, KLSH-ja ua ka dërguar raportin të gjitha ministrive për të vënë në dijeni për gjendjen financiare të Albpetrolit. Burime nga qeveria kanë publikuar raportin e plotë ku shpjegohen në mënyrë të detajuar të gjitha shkeljet e zbuluara në Armo dhe Albpetrol.
Dëmi më i madh që i është shkaktuar buxhetit të shtetit ndër vite ka të bëjë me marrëdhënien që Albpetrol ka pasur me kompaninë e naftës ARMO. Lidhur me këtë KLSH ka zbuluar se në periudha të caktuara, nga Ministria e Ekonomisë kanë dale kërkesa që Albpetrol të favorizonte ARMO-n në çmimet e naftës duke ia shitur atë shumë më lirë nga sa kjo e fundit e blinte edhe nga kompania tjetër prodhuese “Bankers Petrolium”.
Në këtë mënyrë METE është bërë shkak për rritjen e humbjeve nga mosarkëtimet në arkën e Albpetrolit rrjedhimisht në buxhetin e shtetit si dhe për prishje të barazisë në treg.
Në shkresën që Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës nr. 5488/1, datë 08.01.2008 kjo e fundit përcakton se për periudhën janar-korrik 2008, Albpetroli duhet t’ia shesë ARMO-s naftën bruto me 20.000 lekë/ton ose 1000 lekë më pak se çmimi i përcaktuar për kompaninë tjetër prodhuese “Bankers Petrolium”.
Më tej në raportin për Albpetrolin, KLSH, thekson se në shkresën dërguar kësaj kompanie nga Ministria e Ekonomisë për të favorizuar ARMO-n në çmimin e shitjes, nuk ka pasur argumente që të shpjegonin këtë veprim.
Sipas përllogaritjeve të bëra, rezulton se nga aplikimi i një çmimi 1.000 lekë më të ulët për çdo ton naftë të Albpetrol i ka shitur ARMO-s nga data 1 janar deri në 31 korrik të vitit të shkuar, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 133 milionë lekësh.
Ndërsa , nga kontrolli që KLSH ka kryer mbi kontratat e lidhura midis Albpetrolit dhe kompanisë ARMO nga muaji maj 2007 deri në fund të vitit 2008, janë vërejtur një serë shkeljesh që kanë të bëjnë me mos përmbushjen e detyrimeve që përcaktohen në kontratë nga palët nënshkruese.
Sipas një pike të kontratës midis Albpetrolit dhe ARMO-s përkufizohej se nëse kjo e fundit nuk përmbushte detyrimet financiare ndaj palës tjetër duhej të përballej me sanksione deri në shlyerjen e plotë të tyre.
Kështu, për çdo vonesë në shlyerje pas afatit 15 ditë nga marrja e produktit, blerësi duhet t’i paguante shitësit një përqindje të caktuar të vlerës totale të kontratës. Sipas KLSH, megjithëse kishin në anën tyre këtë pikë të kontratës e cila ishte detyruese ndaj palës blerëse, drejtuesit e Albpetrolit as që kanë denjuar që t’ia kërkonin shlyerjen e këtij detyrimi financiar që ARMO u kishte atyre.
“Albpetrol sh.a nuk ka kërkuar shlyerjen e dëmeve të shkaktuara nga mos likuidimi në kohë i faturave të shitjes duke shkaktuar dëm ekonomik për kompaninë në vlerën e 39.4 milionë lekë për vitet 2007-2008. Këta tregues ngarkojnë me përgjegjësi strukturat drejtuese të kompanisë Albpetrol”, – citohet në raport.
Të njëjtat shkelje me mos shlyerjen e detyrimeve financiare nga blerësit KLSH ka hasur edhe në kontratat e lidhura për shitjen e gazit. Por ndryshe nga hera e parë kur përcaktohej se blerësi përballej me penalitete nëse nuk shlyente detyrimet, kësaj radhe në kontratat e lidhura midis palëve nuk përcaktohej asnjë sanksion. Edhe për këtë shkelje KLSH ngarkon me përgjegjësi drejtuesit e kompanisë Albpetrol.
21.000 lekë /ton ARMO blinte naftë nga Bankers Petroleum
20.000 ” ARMO blinte naftën nga Albpetrol
133 mln lekë Është dëmi nga ky diferencim në çmim
39.4 mln lekë Është dëmi nga mosvjelja e penaliteteve financiare
2.5 miliardë lekë është dëmi që i është shkaktuar shtetit nga mos arkëtimet

Mos shlyerja e detyrimeve ndaj Albpetrol për naftë, gaz dhe hollues ka sjellë një dëm të konsiderueshëm


ARMO, 2.5 miliardë lekë abuzime

TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një dëm 2.5 miliardë lekë që ARMO i ka shkaktuar buxhetit të shtetit nga mos shlyerja ndër vite e detyrimeve ndaj kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol. Bëhet fjalë për një dëm i cili është shkaktuar deri në fund të vitit 2008 dhe ka të bëjë me mospagesa të faturave pavarësisht se është marrë produkti dhe mos vjelje të penaliteteve për shkak të mos shlyerjes në kohë të detyrimeve.

Në një situatë të vështirë financiare ku nuk mund të shlyente detyrimet ndaj të tretëve, më në fund Albpetrol i është drejtuar kompanisë ARMO tashmë të privatizuar me një letër ku i rikujtohet shuma që duhet të shlyente. Letra mban datën 1 prill 2009 dhe lidhur me këtë është vënë në dijeni edhe Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës.
“Nisur nga situata e krijuar si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve nga ARMO sh.a që rrjedhin nga kontratat e furnizimit me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues që janë nënshkruar ndërmjet dy kompanive deri më datë 31.12.2008, rezulton se kompania ARMO sh.a ka një detyrim të prapambetur në shumën 2.5 miliardë lekë.
Duke u nisur nga fakti se me kontratën e shitjeve të aksioneve të kompanisë janë transferuar edhe detyrimet që ajo ka ndaj Albpetrolit”, – citohet në letër.
Arka e Albpetrolit nuk është dëmtuar vetëm nga mos mbledhja e detyrimeve që ARMO i ka asaj por edhe nga kompani te tjera. KLSH raporton se edhe në disa kontrata të nënshkruara ndërmjet Albpetrolit dhe kompanisë “Bankers Petroleum” nuk janë parashikuar penalitete për vonesat e kryerjes së pagesave.
Në këtë mënyrë, arka e Albpetrolit ka pësuar një dëm me vlerë 4.7 milionë lekë llogaritur nga koha e lëshimit të faturës deri në 30 prill 2009. Edhe për këtë KLSH ngarkon me përgjegjësi strukturat drejtuese të Albpetrolit si departamenti i Prodhimit, ai i Financës, Drejtorinë e Përgjithshme si dhe Këshillin Mbikëqyrës.
Albpetrol nuk përmbushi detyrimet e kontratës
TIRANË-Krahas “tolerancës” së treguar ndaj kompanive që nuk kishin shlyer detyrimet financiare ndaj Albpetrolit, KLSH raporton se drejtuesit e tij janë treguar neglizhentë edhe ndaj kompanive të kontraktuara për shfrytëzimin e burimeve të naftës.
Megjithëse në kontrata dhe në programin vjetor të miratuar edhe nga Këshilli Mbikëqyrës dhe institucione të tjera shtetërore ishte parashikuar që një kompani e kontraktuar nga Albpetrol gjatë vitit 2008 të prodhonte për llogari të kësaj të fundit rreth 68.3 mijë ton naftë, ndërsa faktikisht janë prodhuar 64 mijë ton.
Nëse do të prodhohej edhe kjo sasi nafte e munguar, rreth katër mijë ton, në arkën e Albpetrolit do të derdheshin rreth 83.7 milionë lekë më shumë çka do të përmirësonte më tej treguesit e saj financiarë.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Planin e Zhvillimit të hartuar në këtë rast janë parashikuar edhe detyrime që kompania kontraktore do të kishte ndaj Albpetrolit nëse nuk do të përmbushte zotimet.
“Kontraktori do të japë atë çka i takon në lidhje me propozimet e përfaqësuesve të Albpetrolit me kusht që ky fundit të aprovojë çdo program vjetor dhe buxhetor në përputhje me planin e zhvillimit. Në rast të lindjes së ndonjë konflikti për sa i përket këtyre, çështja dërgohet për përcaktim tek eksperti”, – citohet në një nga pikat e Planit të Zhvillimit.
Megjithëse i njihej e drejta për të kërkuar shpjegime për mosplotësimin e planit sipas KLSH-së, drejtuesit e Albpetrolit nuk e kanë bërë asnjëherë këtë duke i lënë dorë të lirë kompanisë së kontraktuar që të njëjtin veprim ta përsëriste edhe në vitin pasardhës.
Tolerancat që i janë bërë programit të vitit 2007 kanë bërë që edhe për vitin 2008 programi vjetor të paraqitet me diferenca të konsiderueshme me pasoja në të ardhurat e shoqërisë Albpetrol dhe buxhetit të shtetit”,- theksohet në raportin e KLSH-së.
Çelësi i mosrealizimit të planit sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit ka të bëjë me mosvënien në punë të puseve të naftës. Në zbatim të marrëveshjes, gjatë vitit 2008 kompanisë kontraktore i është planifikuar të marrë në dorëzim 135 puse me kusht që të vejë në punë 85 prej tyre. Në fakt deri në fund të vitit janë vënë në punë 67 të tillë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Propeller
  • TwitThis
  • Yahoo! Buzz
  • LinkArena
  • Segnalo
  • technotizie

Leave a Reply