le ultime notizie
Wednesday March 10th 2010

Te blesh jahte ne mes te krizes

Kur bizneset ankohen për goditje nga kriza, në Shqipëri duket se po ecën mjaft mirë shitja e jahteve. Në vend rezulton të jenë shitur jahte me një vlerë prej 6.5 milion eurosh, të gjithë të blerë nga sipërmarrës vendas

jacht

jacht

Të jesh në bordin e një jahti luksoz, duke lundruar në detin e kaltër ose të ankorosh në ndonjë gji të qetë apo port modern për të ndier magjepsjen e natyrës ose arkitekturës vendase, nuk janë argëtimet që sot i takojnë vetëm europianëve të pasur.
Gjatë verës, kur jahtet lundrojnë në dete dhe kur flamujt e tyre bëhen shumë të shpeshtë në to, nuk është çudi që tashmë të shohim edhe shqiptarë.
Në një kohë të tillë “krize ekonomike”, kur mjaft biznese ankohen për rënien e të ardhurave, do të ishte çudi të flitej për një luks të tillë si jahtet, çmimet e të cilëve mund të arrijnë edhe 400 milion euro, por fakti është se “të pasurit” shqiptarë nuk hezitojnë të shpenzojnë kur vjen puna tek argëtimi.
Menaxheri i shitjeve në “MennYacht”, kompani sllovene që tregton dhe jep me qira jahte, tregon se që nga shkurti i një viti më parë, kur u hap dega në Shqipëri, janë shitur gjithsej 4 jahte.
“Kemi shitur 4 jahte deri më sot, me një vlerë totale prej 6.5 milion euro, ku më i shtrenjti ka kushtuar 3 milion euro dhe ai më i liri 500,000 euro. Të gjithë janë blerë nga biznesmenë shqiptarë”, – thotë Marin Shpati.
Por nuk mbaron me kaq. Kompania është duke përfunduar tratativat me një tjetër blerës, që pritet të marrë në pronësi një jaht me një çmim prej 4.5 milion euro.
Shitjet e realizuara në Shqipëri duket se kanë befasuar edhe drejtuesit sllovenë të kompanisë “mëmë”, që ishin disi skeptikë kur vendosën të hapnin rreth 1 vit e gjysmë më parë përfaqësinë e tyre në Tiranë.
“Ajo që ka çuditur më shumë drejtuesit është fakti se shqiptarët blejnë me një të rrahur të gishtit. Mund të them se jahti i parë, me një çmim prej 1 milion eurosh është shitur brenda 6 orësh, që është një kohë mjaft e shkurtër për të vendosur për një blerje të tillë”, -thotë menaxheri, Marin Shpati.
Fakti që Shqipëria është një vend me 400 kilometra vijë bregdetare dhe me rreth 240 ditë diell, e ka bërë të besojë kompaninë sllovene se këtu biznesi i jahteve do të ishte i suksesshëm. Në kuadër të kësaj, këtë vit kompania do të sjellë këtë verë në Orikum 3 jahte, që do të jepen me qira për këdo që dëshiron të provojë një eksperiencë në det të hapur. Çmimet variojnë nga cilësia e jahtit, ku më i liri është 2,500 euro/ditë dhe më i shtrenjti 5,000 euro/ditë.
“Nëse do të kemi kërkesa, ne kemi kapacitet që të ofrojmë 30-40 jahte”, -shton z.Shpati.

Shqipëria, blihen jahtet, por vetëm 1 port

Por ndonëse interesi për të blerë jahte duket se nuk mungon në Shqipëri, në vend ka vetëm një Port Jahtesh, ai i Orikumit, ndërkohë që vetëm pak javë më parë qeveria ka zhvilluar tenderin e projektit për ngritjen e një Porti Jahtesh në Durrës, në Gjirin e Lalëzit.
Burime zyrtare pranë ministrisë bëjnë me dije se, për këtë projekt koncesionar, u paraqit vetëm një ofertues në formën e një bashkimi të tri shoqërive. Projekti është inicuar nga shoqëria “Ener-Alb Projects”, duke përfituar, sipas ligjit të koncesioneve, edhe bonusin prej 8.2% të pikëve.
“Oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhura të përcaktuara në dokumentacionin standard të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues, sqaron Ministria e Transporteve
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. Për këtë projekt, të tri shoqëritë së bashku kanë ofruar një vlerë investimi prej 9.6 milion euro ose rreth 1.3 miliard lekë.
Zona ku do të ndërtohet porti vlerësohet shumë për nxitjen e turizmit, nisur dhe nga fakti se sapo ka përfunduar dhe rruga që të çon në plazhin e gjirit të Lalëzit. Ideja për ndërtimin e portit të jahteve në një zonë në afërsi të Durrësit, si dhe zhvillimi i disa fshatrave turistikë ka rritur dyfish çmimin e tokës në plazhin e shtrirë në gjirin e Lalëzit. Sipas të dhënave nga agjentët, çmimet e trojeve aty luhaten nga 100-200 euro për metër katror, nga 50 euro për metër katror që ishte çmimi minimal në këtë zonë vetëm pak muaj më parë.
Koncesioni për të ndërtuar dhe përdorur portin e jahteve do të ketë një afat prej 32 vjetësh. Porti parashikohet të jetë gati pas më pak se tre vjetësh, ndërsa për ankorimin e anijeve tarifat variojnë nga 2 deri në 250 dollarë për metër linear.

Orikum, ankorim i 620 mijë mjeteve lundruese

Prej pak vitesh, në një nga pjesët më panoramike të qytezës bregdetare të Orikumit, rreth 20 km larg Vlorës, funksionon i vetmi port turistik i jahteve në Shqipëri. Në kategorinë e klientëve të tij turistë, që qarkullojnë me mjetet e tyre, jahte luksoze në Mesdhe, renditen njerëz të pasur nga vende të ndryshme të Rajonit apo Europës. Mjaft prej tyre në këtë itinerar detar, që nis nga porti i Dubrovnikut ndalojnë në Orikum, për të vazhduar më pas me Korfuzin e më tej.
Sipas të dhënave nga Kapiteneria e Orikumit, gjatë vitit të kaluar në bankinat e portit u ankoruan 350 veliera, një pjesë prej të cilave ishin pjesëmarrëse në regatat italiane që u zhvilluan. Por krahas tyre mjaft turistë të tjerë të huaj, italianë, francezë, anglezë, ankoruan mjetet e tyre luksoze në bankinat e këtij porti.
Kompleksi turistik i portit të jahteve, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 12.7 hektarë. Në të mund të ankorohen 620 mjete lundruese, me gjatësi 10 deri në 30 metra. Në dy godinat e tij numërohen 60 njësi akomodimi, në përputhje me standardet më të përparuara bashkëkohore. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike sigurohet nga burime të pavarura nga rrjetet e përgjithshme
I konceptuar si një kompleks turistik i standardeve më të përparuara bashkëkohore, porti i jahteve në Orikum lindi si një nismë e investitorit italian, Giorgio Alfo. Punimet nisën në qershor të vitit 1996 në një ceremoni, ku ishin të pranishëm ministra dhe drejtuesit më të lartë vendorë. Projekti me një vlerë prej rreth 6 milion USD (me kursin e kohës), ishte i konceptuar në dy faza “A” dhe “B”. Në secilën prej tyre u parashikuan punime specifike me synimet dhe funksionet përkatëse. Porti u vu në funksion në qershor të vitit 2004 me përfundimin e fazës së parë të punimeve. Perspektiva e tij konceptohet me dimensione të tjera, në funksion të faktorëve të ndryshëm, që lidhen me standardet e zhvillimit të turizmit nautik. Në fakt, synimi i ideatorëve të këtij kompleksi ishte pikërisht ky lloj turizmi, i cili sot po merr përmasa gjithnjë e më të gjera. Ai është futur në një rrjedhë dinamike me protagonistë, personazhe të njohura të jetës politike, ekonomike, sociale e akademike, në vendet respektive. Shoqatat e nautistëve që janë të konsoliduara sot në vendet e pellgut të Mesdheut e më gjerë kanë në përbërje të tyre emra të tillë. Gjatë viteve të fundit, porti turistik i jahteve në Orikum, është shndërruar në një epiqendër të nautistëve italianë e më gjerë. Çdo vit përgjatë sezonit veror ai është destinacion për mjaft nga aktivitetet e tyre. Dhjetëra nautistë italianë dhe vendeve të tjera, pjesëmarrës në regatat (garat me anijet turistike me vela e motorë), frekuentojnë për ditë të tëra kompleksin turistik të jahteve në Orikum, por edhe pjesën tjetër të bregdetit turistik të Radhimës e më gjerë. Disa dhjetëra veliera, jahte e barka me motorë “pushojnë” në këto bankina, në pritje të pronarëve të tyre që vijnë për periudha të ndryshme pushimesh. Ata janë shtetas italianë, apo nga ndonjë vend tjetër, që i kanë lënë këto mjete në ruajtje, kundrejt tarifave të caktuara.
Në pikën kufitare të portit të Vlorës, ndiqen procedura të përshpejtuara për mjetet lundruese turistike të huaja, që ankorohen përgjatë bregdetit. Mjeti lundrues turistik, jaht apo çdo lloj tjetër, paraqitet fillimisht në pikën kufitare të portit të Vlorës, ku, kryhet praktika e regjistrimit, e cila përfundon brenda një kohe shumë të shkurtër.


Rajoni, projekte luksoze për port jahtesh

Megjithëse Porti i Orikumit pret çdo vit në gjirin e tij jahte luksoze, ai është ende shumë larg standardeve që kanë portet e tjera të këtij lloji në  Rajon. Kroacia me Dubrovnikun është padyshim një nga strehat më të mëdha të jahteve në Ballkan, sidomos përsa i përket turistëve elitarë. Përgjithësisht këto porte janë në tërësi një kompleks pushimi, me hotele luksozë dhe hapësira të mëdha argëtimi dhe sportive.

Bullgari dhe Rumani

Sipas njerëzve që punojnë në këtë degë, tani tregu i jahteve në Bullgari është duke u zhvilluar intensivisht. Jahtet që blihen më shumë tani janë me çmim rreth 200 mijë euro. Njerëzit të cilët kanë mundësi financiare, i blejnë këto “lojëra për të rritur”, siç i quan Hubert Boxleitner. Qysh nga fillimi i vitit firma që është pronare e qendrës tregtare për jahte në Burgas ka shitur 5 jahte me markë Azimut – marka më e shtrenjtë dhe më luksoze. “Pronarët e këtyre vilave lundruese i kanë të gjitha komoditetet shtëpiake. Në jahtet ka një dhomë ndenjeje, 5 ose 7 dhoma gjumi me banja, kuzhina, televizion sateliti, etj.”, – shpjegoi Momçil Nikolov, – një nga pronarët e qendrës së jahteve. Bregdeti verior bullgar është më i zhvilluar nga pikëpamja e mundësive për zhvillimin e turizmit me jahte. Porti më i madh për jahte që është pajisur më mirë, ndodhet në vendpushimin “Zllatni Pjasëci”. Tani nga ana e investitorëve shihet një interes i madh për ndërtimin e porteve të tilla në tërë bregdetin. Nga Federata Bullgare e Lundrimit me jahte parashikohet që gjatë 3-10 viteve të ardhshme në Bullgari do të ketë 15 porte të reja për jahte me kapacitet të përbashkët midis 2 dhe 4 mijë jahte.
Ndërkohë porti i parë i jahteve në lumin Danub do të ndërtohet nga një projekt i përbashkët bullgaro-rumun. Porti do të ngrihet në afërsi të fshatit bullgar, Baykal. Nisma do të mbështetet nga kryetarja bullgare e kësaj zone si dhe zonës së Corabia në Rumani. Kompleksi do të përfshijë një hotel qe autoritetet vendore shpresojnë se do të jetë në gjendje të tërheqë turistë nga të gjitha vendet që lagen nga lumi Danub.
Autoritetet bullgare dhe rumune shpresojnë që ta kthejnë të gjithë rajonin e Danubit në një zonë më të frekuentuar nga turistët duke shfrytëzuar edhe zonën antike të Oescus. Dy ishuj të tjerë në Danub me një sipërfaqe totale prej 400 hektarësh, që ndodhen përballë zonës ku do të ngrihet Porti, parashikohet të zhvillojnë gjuetinë dhe peshkimin.

Mal i Zi
Porto Montenegro është një port jahtesh mjaft luksoz në zonën e Tivatit, në Mal të Zi.

Investimi për këtë port, që ende është në ndërtim, kryhet nga një biznesmen kanadez, Peter Munk, i cili zotëron rreth 54% të kompanisë Porto Montenegro. Pjesa tjetër është në pronësinë e disa aksionerëve.
Munk ka deklaruar se porti do të jetë një luks i vërtetë dhe do të joshë ardhjen e njerëzve të pasur, duke shfrytëzuar edhe pozitën mjaft favorizuese të zonës, që është një pjesë e veçuar e Gjirit të Kotorrit si dhe në afërsi të Aeroportit të Tivatit. Porti zë 650 jahte, 150  prej të cilëve super-jahte, mbi 150 metra të gjatë.
Në të përfshihet një hotel prej 150 dhomash, mjaft lukzos. Projekti do të përfundojë vitin e ardhshëm. Rreth 10 mijë metra katrorë janë sipërfaqe sportive, ndërkohë që në të ka edhe një fushë gjigante golfi.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Propeller
  • TwitThis
  • Yahoo! Buzz
  • LinkArena
  • Segnalo
  • technotizie

Leave a Reply